Reforma Administartivo Territoriale

Kuvendi miratoi ndarjen e re administrativo – territoriale me ligjin nr. 115, datë 31.07.2014, “Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas ligjit, njësitë e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë janë 61 Bashki dhe 12 Qarqe.

Me ndarjen e vjetër, territori i Shqipërisë organizohej administrativisht në 12 qarqe, 65 bashki dhe 308 komuna. Me reformën e re administrativo – territoriale, njësitë e qeverisjes vendore janë konsoliduar në njësi më të mëdha.

Njësit më të mëdha të qeverisjes vendore kanë më shumë kapacitet që të ushtrojnë një game më të madhe funksionesh dhe kompetencash, kështu që konsolidimi territorial mundëson delegimin e më shumë shërbimeve nga qeverisja qendrore tek qeverisja vendore .

Krijohet një ekonomi e shkallës, e cila mundëson që njësi më të medha të qeverisjes vendore të ofrojnë shërbime më të efektshme dhe me kosto më të ulta. Rasti më i drejtpërdrejt i përfitimit në këtë aspekt evidentohet në çështjen e shpenzimeve administrative të qeverisjes vendore. Krijimi i ekonomisë së shkallës është argument kryesor në studimet që rekomandojnë kryerjen e reformave territoriale që çojnë në rritjen e numrit të popullsisë për çdo NJQV. Literatura dhe praktika ndërkombëtare konfirmojnë se madhësia optimale për arritjen e efiçencës së shërbimeve publike është kur njësit vendore kanë popullsi nga 25,000 deri në 250,000 banorë.

Duke qënë se njësi më të mëdha të qeverisjes vendore mund të ushtrojnë më shumë funksione, ka më tepër mundësi që qytetarët të jenë me të interesuar të marrin pjesë në proçeset politike që lidhen me qeverisjen vendore. Në këtë kuptim, konsolidimi territorial ndihmon në promovimin e demokracisë lokale.

Një organizim territorial me njësi më të mëdha të qeverisjes vendore krijon me pak pabarazi në të ardhurat e bashkive; kështu që ka më pak presion për kompensimin e njësive të qeverisjes vendore nga qeveria qendrore, çështje kjo që i kushton shumë buxhetit të shtetit dhe që shoqërohet  me ndjeshmëri politike.

Njësi më të mëdha të qeverisë vendore janë më efektive në planifikimin dhe politikat për zhvillimin ekonomik, si dhe në tërheqjen e financimeve nga programe të zhvillimit ndërkombëtar, duke përfshirë programet e Bashkimit Europian.

Gjithashtu, konsolidimi territorial ndihmon që të zvogelohen mospërputhjet mes kufijve administrative dhe zonave ku ofrohen shërbimet publike.

Qëllimi kryesor dhe përfundimtar i reformës administrativo – territoriale është rritja e cilësisë dhe standarteve të ofrimit të shërbimeve, rritja e efikasitetit të administartës lokale, si dhe zhvillimi i drejtë i territorit duke mundësuar burime më të mëdha njerëzore dhe financiare, duke shtuar përgjegjësitë dhe kompetencat në nivel lokal dhe duke u orientuar drejt një vendimarrjeje më transparente dhe me më shumë pjesëmarrje.