Kryesore

VENDIM Nr. 11, datë 12.1.2018 PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 83, DATË 28.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË PËR ZBATIMIN E REFORMËS TERRITORIALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të nenit 6, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të ligjit nr. 130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

I. Në vendimin nr. 83, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Në titull dhe kudo në vendim, emërtimi “Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale” zëvendësohet me “Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore” dhe shkurtimi “AZRT” zëvendësohet me fjalën “… agjencia …”.

2. Në pikën 1, fjalët “… në varësi të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore …” zëvendësohen me “… në varësi të ministrit përgjegjës për çështjet vendore …” dhe kudo në vendim, emërtimi “Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore” zëvendësohet me fjalët “… ministri përgjegjës për çështjet vendore …”.

3. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon: “

4. Agjencia ka këto detyra dhe përgjegjësi:

a) Mbështet ministrin përgjegjës për çështjet vendore në koordinimin e punës për zbatimin e politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore;

b) Monitoron zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore, 2015–2020, si dhe planit të veprimit përkatës;

c) Informon periodikisht institucionet publike, grupet e interesit dhe qytetarët mbi çështjet që lidhen me qeverisjen vendore;

ç) Bashkëpunon me strukturën përkatëse të ministrisë përgjegjëse për çështjet vendore për propozimin dhe përmirësimin e akteve ligjore e nënligjore në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore, 2015–2020;

d) Mbështet ministrin përgjegjës për çështjet vendore për krijimin dhe administrimin e një sistemi kombëtar unik, me synim zbatimin e funksioneve të deleguara të vetëqeverisjes vendore;

dh) Siguron informacione lidhur me çështjet e vetëqeverisjes vendore, me qëllim koordinimin e institucioneve publike qendrore e vendore dhe harton raporte, analiza periodike mbi këto çështje;

e) Ofron këshillim ligjor dhe teknik për njësitë e vetëqeverisjes vendore në procesin e ushtrimit të funksioneve të tyre;

ë) Shërben si qendër e evidentimit dhe e promovimit të praktikave më të mira dhe/ose modeleve rekomanduese për çështjet e vetëqeverisjes vendore;

f) Bashkërendon me strukturën përkatëse të ministrisë përgjegjëse për çështjet vendore për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare;

g) Mbështet ministrinë përgjegjëse për çështjet vendore (në rolin e një sekretariati teknik) në koordinimin e punës me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështesin zhvillimin e njësive të vetëqeverisjes vendore;

gj) Raporton periodikisht pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore mbi veprimtarinë e saj dhe për realizimin e detyrave e të përgjegjësive të përcaktuara në këtë vendim.”.

4. Pika 5 ndryshohet si më poshtë vijon:

“5. Organika dhe struktura e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.”.
5. Pika 7 ndryshohet si më poshtë vijon:

“7. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet vendore.”.

II. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Na vizitoni në Facebook Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore